Brenda pak orësh pritet që reshjet e shiut të shtrihen në pjesën më të madhe të territorit shqiptar.
Fillimisht do të preken zonat qendrore, ndërsa në pasditen e sotme reshjet do të përfshijnë të gjithë vendin.
Në mbrëmje, pritet intensifikim i tyre, veçanërisht në veri dhe veri-perëndim, ndërsa gradualisht do të përhapen edhe në qendër.
Gjatë ditës së nesërme reshjet do të tërhiqen drejt jugut dhe juglindjes, ndërsa veriu dhe qendra do të përjetojnë kthjellime që do të përhapen në të gjithë territorin pas mesditës.
Nga pasditja e së martës e deri në fundjavë, moti do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira kalimtare, pa reshje të reja.
Temperaturat sot arrijnë deri në 23°C, ndërsa nesër pritet një rënie e ndjeshme — minimumi në veri do të zbresë deri në 4°C, ndërsa maksimumet në mesditë do të kufizohen rreth 20°C.
E mërkura do të sjellë mëngjese të ftohta, ku në zonat malore temperaturat do t’i afrohen 0°C, ndërsa pasdite do të ketë një ngrohje të lehtë.
Nga e enjtja deri të shtunën parashikohet stabilitet i motit me diell dhe rritje graduale të temperaturave, ndërsa reshjet e lehta do të rikthehen sërish gjatë së dielës.