Reshjet nisin fillimisht në veri dhe veriperëndim, më pas shtrihen drejt zonave qendrore.
Në pjesën e dytë të ditës, i gjithë vendi përfshihet nga reshje të vazhdueshme.
Mbrëmja sjell rrebeshe të forta në veri dhe veriperëndim, të cilat gjatë natës zbresin edhe drejt zonave qendrore.
E marta dhe e mërkura janë ditët më të vështira. Në mesditën e së martës deri në orët e vona të së mërkurës priten reshje me intensitet të lartë në pothuajse gjithë territorin.
Stuhia ka epiqendrën në veri dhe veriperëndim, ku reshjet do të jenë më të forta dhe më të shpeshta.
Parashikimi pesëditor tregon qartë një situatë të rënduar në këto zona:
veriu dhe veriperëndimi mund të marrin deri në 300 mm reshje deri të shtunën.
Zona qendrore, përfshirë Tiranën, pritet të marrë të paktën 150 mm.
Jugperëndimi dhe jugu (Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë) mund të shkojnë deri në 150–180 mm, ndërsa juglindja qëndron disi më qetë me 100–120 mm.
Reshje të dendura parashikohen edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.
Pjesë e mirë e prurjeve të ujit pritet të përfundojë në kaskadën e Drinit, duke rritur rrezikun e përmbytjeve në ultësirën perëndimore. Situata mbetet kritike sidomos të martën, të mërkurën dhe deri në mëngjesin e së enjtes.
Krahas reshjeve, era jugore do të forcohet ndjeshëm, veçanërisht në bregdet dhe zonat e hapura. Temperaturat bien gradualisht: të martën ulen me rreth 3°C, të mërkurën maksimumi zbret në 17°C, ndërsa një rritje e lehtë shfaqet të enjten në mesditë (rreth 23°C). Të premten dhe të shtunën moti përmirësohet, ndonëse reshjet mbeten të pranishme në formë rrebeshesh të shkurtra.
Kjo javë mbetet e ngarkuar me mot të paqëndrueshëm, me pikat më problematike në veri dhe veriperëndim.