Categories
Uncategorized

Grida Duma shpërthen në “Top Story”: Nuk ka pazare me Edi Ramën, emri im është i paprekshëm

Grida Duma ka sqaruar publikisht pozicionin e saj lidhur me akuzat e ngritura nga drejtues të Partisë Demokratike, sipas të cilave ajo ka negociuar me kryeministrin Edi Rama për çështjen e Avokatit të Popullit apo se qëndron pas lëvizjeve të deputetit Ervin Salianji.

E ftuar në emisionin “Top Story”, Duma i mohoi kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se askush nuk ka guxim të vërë në dyshim emrin dhe reputacionin që ajo ka ndërtuar ndër vite në politikë.

Ajo u shpreh se nuk ka lobuar kurrë me Edi Ramën për interesa personale apo politike dhe se, pavarësisht goditjeve që ka marrë gjatë karrierës së saj, nuk ka kërkuar kurrë mëshirë apo ndërhyrje nga kundërshtarët politikë.

Sipas Dumës, ajo nuk ka zgjedhur asnjëherë rolin e viktimës në publik dhe nuk ka përdorur statusin e saj si grua apo nënë për të fituar simpati politike.

“Nuk guxon askush t’i afrohet Grida Dumës me oferta apo pazare që lidhen me Edi Ramën.

Ky personalitet është ndërtuar në politikë dhe me këtë personalitet vij edhe sot këtu,” – deklaroi ajo.

Duma theksoi se lobimet dhe marrëveshjet politike bëhen në hapësira të tjera dhe jo në publik, ndërsa shtoi se ajo e ndan qartë dimensionin njerëzor nga ai politik.

Sipas saj, nuk ka asnjë arsye që emri i saj të përmendet për “pazare të vogla”, pasi ajo qëndron “big” si në aspektin njerëzor, ashtu edhe në atë profesional.

Në fund, Grida Duma kritikoi ashpër situatën brenda Partisë Demokratike, duke thënë se PD duhet të heqë dorë nga “foltorja 2.0, 3.0 apo variante të tjera” dhe të ripozicionohet seriozisht si opozitë, pasi aktualisht, sipas saj, nuk po arrin të përfaqësojë siç duhet interesin opozitar në vend.