Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën e fundvitit me gazetarët se ekonomia shqiptare po mbyll vitin me rritje pozitive, duke vënë theksin te rritja e pagave, pensioneve dhe investimeve.
Sipas kreut të qeverisë, paga mesatare në tremujorin e fundit ka arritur në 833 euro, ndërsa nga janari i vitit 2026 paga minimale do të jetë 500 euro, pas hyrjes në fuqi të ligjit përkatës.
Rama u ndal veçanërisht te pensionet, duke theksuar se rritja që nis në janar do të jetë përtej indeksimit të zakonshëm.
Ai tha se pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj nga janari 2026 dhe kjo mbështetje do të dyfishohet, trefishohet dhe katërfishohet vit pas viti.
Sipas shpjegimit të tij, pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 mijë lekë në muaj, pensioni rural me 1 mijë lekë në muaj, pensioni familjar me 700 lekë në muaj dhe pensioni i invalidit me 600 lekë në muaj.
Kryeministri theksoi se indeksimi i pensioneve ka nisur që në tetor të këtij viti, ndërsa me hyrjen e vitit të ri do të fillojë një rritje e qëndrueshme, e cila do të rritet progresivisht nga viti në vit.
Në lidhje me ekonominë, Rama deklaroi se bizneset e reja janë shtuar me rreth 20 për qind, ndërsa investimet e huaja direkte në tremujorin e tretë kanë shënuar rritje mbi 10 për qind. Sipas tij, stoku i investimeve të huaja është rritur me më shumë se 10 për qind krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar besim të shtuar në ekonominë shqiptare.
Kryeministri e cilësoi rritjen e pagës mesatare dhe pensioneve si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e mirëqenies dhe garantimin e një mbështetjeje më të fortë sociale për qytetarët në vitet në vijim./SW