Moti në vendin tonë po karakterizohet nga kthjellime dhe vranësira kalimtare, të cilat do të shtohen gjatë pjesës së dytë të ditës.
Megjithatë, temperaturat kanë shënuar rritje të ndjeshme.
Në mëngjes, termometri ka zbritur deri në -3°C në zonat e thella malore, ndërsa në vijën bregdetare vlerat janë luhatur nga 8 deri në 10°C.
Gjatë mesditës së sotme, temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 16°C në rang territori.
Rritja e temperaturave vijon edhe në ditët në vijim.
Të premten, temperaturat minimale ngjiten rreth 0°C në shkallë vendi, një vlerë mjaft e lartë dhe jo tipike për muajin janar.
Edhe temperaturat e mesditës do të pësojnë rritje të lehtë, duke shënuar maksimum deri në 17°C.
Dita e shtunë pritet të sjellë një rritje edhe më të ndjeshme të vlerave termike, si në mëngjes ashtu edhe në mesditë, ku temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 18°C.
Këto vlera konsiderohen atipike për dimrin dhe ndjeshëm më të larta se mesatarja klimatike e muajit janar.
Nga e diela dhe në fillim të javës së ardhshme, parashikohet një rënie e lehtë dhe graduale e temperaturave, por ato do të mbeten sërish mbi normat sezonale.
Ndërkohë, vranësirat do të jenë më të shpeshta, sidomos gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes.
Reshjet do të jenë të pakta dhe të izoluara. Sot pasdite, si edhe gjatë ditëve të premte dhe të shtunë, priten vetëm momente të shkurtra me pika shiu në zona të veçuara. Të dielën, si dhe të hënën e të martën, mundësia për reshje rritet lehtë, por sërish bëhet fjalë për reshje të dobëta dhe lokale.
Në përgjithësi, moti do të vijojë me temperatura mjaft të larta për këtë periudhë, duke shënuar sot rreth 16°C dhe deri në 18°C gjatë fundjavës, ndërsa reshjet mbeten të pakta dhe pa ndikim të ndjeshëm./shqiptari.net