Friday, 10 July 2026
Gazeta Diaspora Lajme per shqiptaret kudo ne bote
Uncategorized 10 Jul 2026 3 min lexim

Neurokirurgu i njohur Mentor Petrela rrëfen pengun që i la karriera dhe jeta personale

Redaksia 10 July 2026, 11:41 179 views
Neurokirurgu i njohur Mentor Petrela rrëfen pengun që i la karriera dhe jeta personale

Ai është një nga personalitetet më të spikatura në fushën e mjekësisë, me një kontribut të gjatë në departamentin e neurokirurgjisë, duke u dhënë një shpresë të dytë mijëra pacientëve që i kanë besuar profesionalizmit dhe përvojës së tij të ndërtuar ndër vite.

Bëhet fjalë për Prof. Dr. Mentor Petrelën, i cili ishte i ftuar në emisionin “Rudina”, këtë të mërkurë, më 1 korrik, në një intervistë të gjatë për jetën dhe karrierën e tij të suksesshme.

Doktor Petrela pohoi se numëron rreth 20 mijë operacione në tru, organin që ai e cilëson si më finin dhe më kompleksin e trupit të njeriut.

“Truri i njeriut për ju që jeni jashtë është gjëja më e paprekshme dhe më e pamendueshme, për në është materie. Ne bëjmë një formë arti sa dikush e ka përshkruar që ne jemi me 12 sy, se kemi 10 gishta dhe 2 sy.”

Sa i përket konceptit të lumturisë nga këndvështrimi i një neurokirurgu, ai u shpreh se ajo shpesh është një ndjesi e ndërtuar.

“Që të jesh me atë pozitivizmin dhe të jesh ‘i lumtur’ mua më duket krejt fallco, tjetër gjë është brenda. Ne mundohemi ta stimulojmë veten për të qenë të lumtur.”

Gjatë intervistës, ai dëgjoi edhe një letër të shkruar nga vajza e tij Vivian, e cila me fjalë të ndjera shprehu dashurinë, mirënjohjen dhe vlerësimin për babain e saj, duke theksuar edhe rolin e dyfishtë që ai ka mbajtur pas humbjes së bashkëshortes.

Ai e cilëson ndarjen nga jeta të bashkëshortes së tij si një nga momentet më të vështira, por edhe karriera e ka detyruar të qëndrojë jo aq pranë sa ç’do të donte vajzave të tij.

“Me kohën që i kam dedikuar profesionit, është që u kam hyrë në hak shumë. Në këtë pikë kam shumë pengje. Ishte një moment që u kris familja me humbjen e nënës, që për vajzat është shumë e rëndësishme dhe në moshën 14, 15 vjeç që ishin… Duke pasur parasysh dhe martesat klasike që ishin, nuk tentova martesën e dytë që thotë Oscar Wilde, shpresën mbi eksperiencën. Thashë më mirë po rri me martesën e parë që është imagjinata me inteligjencën.”

Ai shtoi se humbja e bashkëshortes pati ndikim të madh edhe në gjendjen e tij fizike dhe emocionale.

“Ajo vinte nga një familje me shumë tradita me shumë taban dhe ndaj ishte dhe shumë e butë në sjellje. Me thën ë drejtën atëherë kam pasur dhe një rënie në peshë shumë, edhe fizikisht u përfshiva shumë. Kjo është fatkeqësia që ndodh në jetë me kancerin e gjirit.”

Pavarësisht dhimbjes dhe sfidave personale, Prof. Petrela theksoi gjatë gjithë intervistës se jeta e tij ka qenë e ndërtuar mbi librat dhe leximin, një pasion që e ka shoqëruar që në fëmijëri, falë ndikimit të prindërve të tij.

/tvklan.al