Meteorologët theksojnë se situata e reshjeve të ditëve të fundit është normale për nëntorin, por intensiteti i lartë në intervale të shkurtra mbetet problem për infrastrukturën.
Vitet e fundit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i shpejtë urban kanë rritur rrezikun e përmbytjeve sa herë që shiu bie me intensitet të madh.
E hëna sjell një pauzë të shkurtër të reshjeve, duke ulur përkohësisht rrezikun e rritjes së niveleve të lumenjve.
Përjashtim mbetet qarku i Shkodrës, ku edhe mbrëmjen e sotme priten reshje të dobëta deri mesatare.
Pushimi nuk zgjat shumë.
Të martën pasdite dhe të mërkurën një tjetër sistem i fuqishëm vranësirash godet vendin, duke rikthyer reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë.
Në zonat malore, reshjet do të shndërrohen sërish në dëborë.
Emergjencat civile pritet të mbajnë nën vëzhgim qarqet që kanë qenë problematike këtë javë, ndërsa qytetarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin zonat me rrezik përmbytjesh.