Ulet çmimi i naftes, bordi vendos çmimet e reja per karburantet

Bordi i Transparencës ka miratuar këtë të mërkurë çmimet e reja tavan për tregtimin e karburanteve në vend, të cilat kanë hyrë në fuqi më 10 qershor 2026, në orën 14:00.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e radhës, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 është caktuar në 188 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë në 176 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën, Bordi ka vendosur që çmimi maksimal i shitjes me pakicë të jetë 171 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë 159 lekë për litër.
Autoritetet bëjnë me dije se këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut ndërkombëtar dhe vendas të hidrokarbureve.
Bordi i Transparencës ka paralajmëruar operatorët e tregtimit të karburanteve se zbatimi i vendimit është i detyrueshëm.
Në rast të konstatimit të shkeljeve, ndaj subjekteve do të merren masa administrative, deri në pezullimin e aktivitetit.
Në një sqarim zyrtar, autoritetet theksojnë se çmimet aktuale të karburanteve janë nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, i cili parashikon aplikimin e nivelit 80% të akcizës vetëm në rastet kur çmimi i gazoilit tejkalon 220 lekë për litër ose ai i benzinës 200 lekë për litër. Për shkak se çmimet e reja janë më të ulëta se këto kufij, akciza do të vijojë të zbatohet në nivelin e plotë, 100%.
Sa i përket sektorit të peshkimit, çmimi i gazoilit për anijet e peshkimit është përcaktuar në 92 lekë për litër. Ky çmim bazohet në përjashtimet fiskale të parashikuara nga legjislacioni shqiptar, të cilat përfshijnë përjashtimin nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe detyrimet e akcizës për karburantin e përdorur nga flotat e peshkimit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaron se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.