Investimet e huaja direkte ndikojnë në rritjen e mundësive për integrim ekonomik duke krijuar lidhje të qëndrueshme dhe afatgjata në tregjet ndërkombëtare. Kompanitë e mëdha botërore transferojnë kapitalin e tyre në ato vende që ofrojnë kushte më të mira në investime.
Përveç taksave më të ulëta, fuqisë punëtore më të lirë dhe të kualifikuar, kompanitë janë të interesuara edhe për sundimin e rendit dhe ligjit në vendin e investimeve, por edhe për sigurimin e investimeve nga vendi përfitues.
Ministria e Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë ka publikuar sot raportin “Industria përpunuese”, që u referohet të dhënave të viteve të kaluara.
Sipas raportit, Investimet e huaja direkte në Kosovë, për vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, kanë shënuar rritjen më të lartë në sektorin “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit”, ku nga vlera 13.9 milion euro, ka kaluar në vlerë 84 milion euro.
Të dhënat tregojnë, po ashtu, se te aktiviteti ekonomik i Ndërtimit nga një vlerë negative që kishim në vitin 2019 (17.1) është shënuar një rritje prej 10.8 milion euro në vitin 2020 si dhe te sektori Xehetaria dhe gurorët, nga një vlerë negative (6.9) milion euro është investuar në 28.8 milion euro dhe kjo do të thotë se ky aktivitet ekonomik ka shënuar vlerë pozitive për herë të parë në 5 vitet e fundit.
Shikuar nga vlera investuese, sektori i cili ka shënuar vlerën më të lartë investive është aktiviteti i patundshmërisë 201.1 milion euro, ndërsa nëse e krahasojmë me vitin paraprak, ky sektor ka rënie për 22.7 milion euro.